Mblidhet Asamblea Kombëtare e LRE. Galdini: LRE parti e djathtë dhe në Opozitë me Qeverisjen e Majtë.

Mblidhet Asamblea Kombëtare e LRE. Galdini: LRE parti e djathtë dhe në Opozitë me Qeverisjen e Majtë.

 

 

Ditën e sotme u mblodh Asamblea Kombëtare e LRE, e drejtuar nga Arian Galdini.

LRE - Lëvizja e Re është partia e vetme e re që mori pjesë në zgjedhjet e 25 prillit 2021, e pavarësisht rezultatit zhgënjyes në këto zgjedhje, rezistoi dhe ka qëndruar aktive dhe në përpjekje e angazhim të vazhdueshëm për të qenë një aktor e faktor politik rilevant në skenën politike shqiptare.

Asamblenë Kombëtare të LRE e hapi Sekretari i Përgjithshëm i kësaj parti z. Luljan Strazimiri i cili falenderoi të gjitha strukturat e LRE për qëndrueshmërinë dhe përkushtimin e tyre.

"Mos harroni, se në dt 21 gusht 2021 me organizimin e Marshimit të Dinjitetit në mes të Tiranës ku morën pjesë mbi 400 qytetarë, vetëm pak muaj pas dështimit në zgjedhjet e 25 prillit, ne si LRE dëshmuam se jemi një parti e qytetarëve dhe ia kemi dalë mbanë të kemi një komunitet vital dhe me qëllime të qarta për të ardhmen". - u shpreh z. Luljan Strazimiri.

Ndërsa NënKryetarja e LRE znj. Ejona Mema deklaroi se: "LRE në këto kohë të vështira e kaosi të madh, ka si busull orientimi parimet dhe vlerat më të mira të etikës dhe besimit në Zot. Ne si LRE jemi Pro Familjes. Jemi partia e prindërimit e ndaj do të qëndrojmë ngahera në mbrojtje të Familjes sikurse e ka dizenjuar e krijuar Zoti."

Sekretari Organizativ i LRE z. Jani Nano foli për objektivat e ristrukturimit të LRE në çdo qytet, fshat, lagje e qark për tu përgatitur për sfidat e reja politike si edhe për zgjedhjet e ardhshme administrative.

Kryetari i LRE z. Arian Galdini ia drejtua Asamblesë Kombëtare me mesazhin se: "Ka ardhur koha që ne të dalim nga zyrat e ambjentet komode dhe të shkojmë kudo ku jetojnë e punojnë shqiptarët. Duhet tu dëshmojmë shqiptarëve se ne si LRE nuk jemi një parti e rastësishme, as kalimtare e as për qëllime e objektiva meskine përfitimesh. Ne jemi partia e shpresëndërtuesve. Shqiptarët nuk na njohin ende sepse ne jemi partia e dënuar me harresë nga Klubi i Plaçkaxhinjve PS - PD - LSI - Tom Dosh. Ata na kanë dënuar me harresë dhe mohim. Mediat e Rregjimit Skuthokratik PS - PD - LSI - Tom Dosh, na kanë dënuar me shpërfillje, me injorim, bllokim, çensurim dhe me moskonsiderim. Ne jemi e vetmja parti e mohuar dhe e dënuar me harresë në Shqipëri, sepse nuk jemi të krijuar as me porosi, as me leje, e as me marrëveshje me asnjë palë e asnjë aktor të Rregjimit. Ne jemi e vetmja parti e lirë, e pakontrolluar nga Rregjimi Skuthokratik. Ne nuk jemi as partia e Ramizit, as e Nexhmijes, as e Sali Berishës, e as e Fatos Nanos, as e Ilir Metës, e as e Edi Ramës, as e Lulzim Bashës e as e Monika Kryemadhit, as e SOROSIT, e as e Oligarkëve, as e Krimit e as e ishërve të Korruptuar. Jemi partia e qytetarëve të thjeshtë, të ndershëm, halleplotë dhe të papërlyer. Ne duhet tu themi qytetarëve se LRE është e pozicionuar si një parti e djathtë dhe opozitare. LRE nuk bashkëpunon e as bën asnjë marrëveshje kurrë me PS apo të majtën. Jemi në Opozitë me Rilindjen, me Qeverisjen e PS dhe me të majtën si ideologji e praktikë. Ta dinë qartazi dhe kthjelltësisht shqiptarët se LRE është partia e së djathtës humane. Ne jemi parti e djathtë dhe pikë."

Asamblea Kombëtare votoi për rikonfirmimin e  Kryesisë Qendrore të LRE dhe gjithashtu edhe për disa vendime të rëndësishme organizative të kësaj partie.