Partitë e mëdha, Partitë e vogla, Partitë e Reja, Opozitarizmi dhe Reforma Zgjedhore! Nga Arian Galdini

Partitë e mëdha, Partitë e vogla,
Partitë e Reja, Opozitarizmi dhe Reforma Zgjedhore!

Nga Arian Galdini

Prej shtatorit 2017 kur u mblodh për herë të parë dhe të fundit i ashtuquajturi asokohe Fronti Opozitar, gjithçka ndryshoi thelbësisht.

Edhe unë në atë kohë isha ende aleat i PD dhe anëtar i Koalicionit Opozitar.

Ajo mbledhje që u quajt vetëm për 1 ditë Fronti Opozitar bë vetëm për të fotografuar dhe martuar në një Tryezë vëllazërimi të ri opozitar Lulzim Bashën me Monika Kryemadhin, Koço Kokëdhimën, e të tjerë komunistë si këta.

Më vonë dalëngadalë vërshuan pas kësaj dite drejt rradhëve të Opozitës të gjithë ish Ministrat Socialistë të Korruptuar të Qeverisjeve të Korruptuara të Nanos, Metës, Majkos e madje edhe të vetë Edi Ramës. 

Ne të djathtët e kahershëm u izoluam e dora dorës edhe u mënjanuam.

Çfarë solli ky ristrukturim opozitar i pas atij shtatori 2017?

Edi Rama qeveris i vetëm dhe i pashqetësuar asfare.

Opozita është mbyllur në atë që ata fillimisht e quanin Koalicioni Opozitar i Partive Parlamentare e tani që kanë djegur mandatet e quajnë Opozita e Bashkuar.

Pra Pakti i 17 majit 2017 edhe nëse kishte vdekur, gjithësesi nuk i ka lënë pa i shenjuar siluetat e viktimave të aksidentit të tij politik.

Demokracia e brendshme e partive, reforma zgjedhore dhe liritë politike në vend, u aksidentuan rëndë e janë në gjendje kritike, pothuajse në vdekje klinike.

Ndërkohë Autokrati apo siç e quaj unë, Skuthokrati në pushtet është përfituesi masiv i gjithë kësaj strategjie asgjësuese të demokracisë në parti, vend e shoqërinë shqiptare.

Sa më pak liri e demokratizim ka, aq më pak aktorë, faktorë e standarte konkuruese ka.

E kështu me rradhë, sa më pak aktorë, faktorë e standarte konkuruese të ketë, është e lehtë që loja politike të tregëtarizohet.

Kur mungon liria dhe rregullat e lojës, tregëtarizimi i politikës kthehet në pazar, monopol dhe shantazh e deri ne transaksion në simbiozë me krimin.

Këtu kjo që njihet si Opozita Zyrtare apo Opozita e Bashkuar (ta shohim nëse do të mbeten deri në fund Opozita e Bashkuar) nuk ka asgjë për të fituar, vetëm nëse ka pranuar të jetë palë tregëtare në Lojën Antidemokratike të Qeverisë.

Për këtë them se nuk arrij për asnjë arsye në botë që ti kuptoj motivet e mbylljes dhe Çdemokratizimit të Opozitës.

Reduktimi i Opozitës në "Shtab Opozitar" me vetëm Partitë dhe figurat politike që janë pjesë e tavës së përhershme në 30 vitet e fundit, bën kuptim vetëm nëse Opozita ka vendosur e shpreson që të përballet me Rilindjen si Operator Tregëtar në një Ambjent Politik tëTregëtarizuar.

Psh, kauzat e Opozitës për Vetting Politik, Luftë Lidhjeve të Politikës me Krimin, etj, etj, ngjasojnë si përsorim ekselent i tezave të drejta dhe parimore, për qëllime  strategjike ekspozimi dhe dobësimi të Kundërshtarit në  Qeveri.

Qartazi Opozita ka adoptuar tezat e drejta në ambjentin dhe lojën e gabuar.

Tani, a ka shanse që Opozita si palë tregëtare ta mundë kundërshtarin në ambjentin dhe rregullat e tij?

Më shumë ka të ngjarë që Opozita të fitojë para e të mira për "Shtabin Opozitar" në kësi rastesh, sesa të fitojë zgjedhje.

Opozita sipas meje ka vetëm dhe vetëm një rrugë: Bashkim në Parime, Idealizëm, Pastrim, Hapje, Transparencë, Papërlyeshmëri, Liri e Demokraci.

Ky bashkim kërkon që Opozita të dalë nga kultura dhe ambjenti i tregëtarizuar i politikës ku na ka zhytur Rilindja, e të ndryshojë gjithçka në formën dhe thelbin e saj.

Opozita duhet të thërrasë e hapet për më të mirët e shoqërisë shqiptare.

Por që ti thërrasë më të mirët, Opozita duhet të krijojë brenda saj rregullat dhe ambjentin ku përfaqësimi arrihet prej lirisë, konkurueshmërisë dhe meritokracisë.

Tregëtarizimi i poltikës sjell intelektualë dhe akademikë që vijnë tek Partitë të shiten si "fixers" (fikserë - avokatë të djallit, justifikues, mbrojtës elokuentë dhe të pacipë bëmash e gjëmash të gjithëfarësojshme) dhe vetëm kaq.

Fikserët aq sa përdoren, aq edhe janë përdorues dhe përfitues e nuk i bëjnë asnjë dobi të mirës publike edhe pse flasin e shkruajnë shumë për të.

Demokracia dhe liria nuk zhvillohen dot me fikserë por vetëm me idealistë.

Tregëtarizimi dhe kriminalizimi i politikës e kanë bërë Shqipërinë një vend të pamundur për idealistët, meritorët dhe të ndershmit.

Politika dhe partitë janë burimi, shkasi, frymëzuesit dhe zhvilluesit e kësaj Shqipërie të pamundur për idealistët, meritorët dhe të ndershmit.

Prandaj politika dhe partitë rendin të blejnë sa më shumë fikserë dhe kaqola.

Dy kategori kemi të përputhshme me ambjentin politik të tregëtarizuar dhe kriminalizuar, fikserët dhe kaqolat.

Sa më shumë shtohen fikserët dhe kaqolat nëpër partitë tona politike, aq më shumë degradon gjithçka. 

Politika shqiptare është pothuajse motër binjake e ekonomisë shqiptare, dmth shumë tregëti dhe krim, e pak ose aspak ide, novacion e  prodhim.

Kushte të tilla, në politikë favorizojnë Shtabet ose Sundimtarët ndërsa në ekonomi, Oligarkët dhe Krimin.

Kur ambjenti politik është i gjithi i tregëtarizuar dhe kriminalizuar, simbioza e Sundimtarëve, Shtabeve Politike me Oligarkët dhe Krimin, është e pashmnagshme.

Fatkeqësisht, kemi mbërritur pikërisht në këtë momentum tipik Simbioze.

I gjithë tensioni dhe përplasja është mes dy cikleve të mbyllura simbiotike brenda të njëjtit ambjent.

Opozita është bërë palë tregëtare e kësisoj njëri prej cikleve të mbyllura që po kërkon ti zërë vendin parësor Rilindjes.

Paradoksi ngjan si epokal, sepse Ambjentin e Tregëtarizuar dhe Kriminalizuar e ka nën kontroll të plotë Rilindja.

E si mund ta mundë "Shtabi i mbyllur Opozitar", Rilindjen, në ambjentin dhe me mjetet që kjo e fundit i ka krijuar dhe zotëron tërësisht?

Le tia nisim nga më e thjeshta.

Logjika na thotë se fikserët janë numerikisht më të shumtë në krahun e Qeverisë sepse ajo paguan më shumë e ka mjete, joshje, shkëmbime, e të mira mjaft më tepër se Opozita.

Kjo bën që Opozitës ti mbeten fikserë të limituar në numër, e kaqola plot.

Vëzhgojeni pak planin mediatik të Opozitës. 
Ajo e ka reduktuar skajshmërisht numrin e njerëzve që përfaqësojnë, mbrojnë dhe përcjellin mendimin, aksionin dhe mesazhin e saj politik.

E ndër këta, pak fare janë fikserë dhe pjesa dërrmuese janë kaqola.

Varfëria e përfaqësimit në njerëz e vlera prej Opozitës, shkon e gjitha si profit neto për Rilindjen.

Sa më e varfër të paraqitet në njerëz e vlera Opozita, aq më pak besim do ngjallë. 
Do vrasë çdo ditë shpresën e mbi të gjitha do bëjë krejt mbizotërues mesazhin dekurajues e dëshpërues se Shtabi i Opozitës e do lojën të mbyllur e nuk ka nevojë e as do njerëz të mirë e meritorë pranë a brenda Opozitës.

Një "Shtab Opozitar" që e do lojën të mbyllur, është kumti më antidemokratik që një shoqëri mund të marë, ngase  përbën dëshminë më kokëfortë të një mendësie aspak zhvillimore, rritëse e aspiratëngjizëse.

Përkundërazi, ky kumt na përforcon vetëdijësimin se në këtë ambjent politik të tregëtarizuar, të gjitha palët duan vetëm të bëjnë plaçkë.

"Shtabi Opozitar" bën garë me Rilindjen për të mbledhur pranë vetes fikserë ose kaqola e as që e shtron si alternativë e as jep ndonjë shenjë serioze përtej retorikave propagandistike për hapjen drejt idealistëve, meritorëve dhe të ndershmëve.

Shqyrtojini me kujdes mediat televizive, gazetat, portalet që janë pranë Opozitës.

Ato janë lakmusi i lojës së mbyllur. Vetëm fikserë dhe kaqola degjon, sheh e lexon në to.

Idealistët, meritorët dhe të ndershmit shpërfillen si jofaktorë, si idiotë, të panevojshëm, e lloj lloj etiketimesh a perceptimesh skualifikuese.

Shkurt dhe prerazi, "Shtabi Opozitar" nuk do as të hapet për më të mirët, e as për meritorët e të papërlyerit.

E kam thënë dhe e kam përsëritur papushim se partitë e vogla janë një anomali e demokracisë shqiptare, po aq sa edhe partitë e mëdha.

Megjithatë, Shqipërinë as e kanë sunduar e as e kanë plaçkitur partitë e vogla joparlamentare, asnjë ditë, kurrë.

Ndoshta sepse kurrë nuk u panë a provuan në pushtet.

Sigurisht që askush nuk e dyshon se sundimin dhe plaçkitjen e pamëshirshme e deri kriminale, Shqipërisë ia kanë bërë ato pak parti kryesore parlamentare.

Atëherë, përse qenkërka kauzë e drejtë kjo ujdia negative e Rilindjes me Shtabin Opozitar, për të nënçmuar, shuar e zhdukur partitë e vogla joparlamentare?

Edi Rama e bëri fushatën e 2017 me lajtmotivin e tepsisë dhe ia doli të fitojë vetëm.

Opozita e nisi si antiLSI, antiParti të vogla dhe ka përfunduar si Shtab me LSI dhe një grusht parti të vogla parlamentare të cilave ua bëri deputetë, kryetarët, vetë PD e tani ua dogji vetë edhe mandatet.

Jemi pak muaj para zgjedhjeve dhe Shtabi Opozitar vijon të theksojë se ai identifikohet vetëm me "Shtabin Opozitar" që nuk dihet nëse do të vijojë të jetë i bashkuar apo do ndahet,  dhe nga ana tjetër nuk bëri asnjë grimë përpjekje që tu japë shqiptarëve një Kod Elektoral për Qytetarët dhe Lirinë përkundër një Kodi si ky aktuali që është dizenjuar veç për Kryetarët dhe Leverdinë financiare që sjell tregëtarizimi elektoral.

"Shtabi Opozitar" luftoi dhe ende po lufton për llogaritë e brendapartiake.

Nuk kanë asnjë shtysë parimore.

Me marrëveshjen e 5 qershorit 2020, siguruan mosndryshimin e Kodit dhe kontrollin mbi Administrimin e Zgjedhjeve bashkë me sivëllezërit e tyre në Rilindje.

Tani këtë shtator, do zihen e grihen e pastaj merren vesh për të hyrë në tregëtinë elektorale si do Rama apo si do Meta apo si do Basha.

Nuk duan të hapen vetë si Parti për më të mirët.

Nuk duan as një Kod Elektoral për Qytetarët dhe Lirinë.

Cikli i mbyllur është zgjidhja dhe rruga e dukshme e zgjedhur  prej Shtabit Opozitar.

Prandaj edhe marrëdhënia e tyre me Rilindjen e Edi Ramës është bërë si martesa e xhirafës me miun.

Muajin e parë të martesës, miu ngjitej lart tek veshi i xhirafës dhe i fliste pastaj zbriste poshte deri nën bisht që të bënte dashuri. Kur e takojnë shokët, e shohin të dobësuar dhe katandisur si mos më keq ndaj edhe i thanë të ketë kujdes për veten se kështu nuk do shkonte gjatë. Miu u mendua gjatë dhe e gjeti zgjidhjen. Kur e takojnë shokët të shëndoshur dhe çakërrqejf pas disa muajsh, e pyesin me kërshëri se si ia ka bêrë.

Miu i lumtur u tha:  Thjesht fare. Nuk ngjitem më lart ti flas në vesh nusexhirafës e pastaj të zbres poshtë nën bishtin saj që të bëj dashuri  me të. Tani i bie shkurt, aty ku flas bëj edhe dashuri ose aty ku bëj dashuri, edhe flas.

Kështu edhe Shtabi Opozitar me Edi Ramën, duken sikur aty ku zihen bëjnë edhe dashuri ose aty ku bëjnë dashuri edhe zihen....

Prandaj nuk lodhen më as për hapje, as për liri, as për zgjedhje të barabarta e të ndershme, as për vlera.

Kësisoj partitë e reja, duhet të ecin paralel e të pandikuara nga ky realitet i vullneteve të ndrydhuna të Rilindjes bashkë me Shtabin Opozitar.

Ne si LRE do të ecim të qetë me qytetarët, të përgatitur për një betejë e rezistencë të gjatë qytetare.

Punë shumë punë kërkohet nga ne në terren.

Por edhe durim dhe rezistencë.

Arian Galdini